26/01/2023
🔺 Kërkesëpadia duhet të përmbajë:
gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;
të dhënat elektronike të paditësit ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, të cilin gjykata mund ta njoftojë, nëse ai ka pranuar të njoftohet me mjete të komunikimit elektronik;
përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë, pra e asaj që kërkohet;
tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;
pretendimet e paditësit;
vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm;
listën e personave, që paditësi kërkon të thirren në gjykim, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.
🔻Si paraqitet kërkesëpadia në gjykatë?
Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë, siç mund të jetë avokati. Ajo mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës. Me anë të shortit, zgjidhet gjyqtari që do të shqyrtojë padinë.
Nëse kërkesëpadia ka të meta, gjyqtari i cakton paditësit një afat për plotësimin e tyre. Nëse paditësi i plotëson të metat brenda afatit, padia quhet e regjistruar që nga data kur ajo është paraqitur. Në të kundërt, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur asnjëherë dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.
Bazuar në:
🔹Ligjin Nr. 8116, datë 29.03.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kujdes!♦️
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.